Në një intervistë të dhënë për Prishtina Press, Agim Hoti, drejtor i gazetës “Papirus” dhe analist i njohur, ka shprehur mendimin se Kosova ka mbetur në stagnim për pesë vitet e fundit, duke theksuar se Kryeministri aktual Albin Kurti nuk ka mbushur asnjë premtim të dhënë, shkruan Gazeta Papirus.
Sipas tij, qytetarët e Kosovës përballen me një realitet të vështirë, ku shumë prej tyre janë detyruar të emigrojnë jashtë vendit për shkak të mungesës së mundësive. Ai ka thënë se Kosova ka ngecur në një periudhë të errët dhe është e nevojshme të ndërmerren hapa të shpejtë për përmirësim.
Në lidhje me zgjedhjet e 9 shkurtit, Hoti ka shprehur se numri i votuesve do të jetë i madh, me një pjesëmarrje të mundshme nga 750,000 deri në 800,000 qytetarë.
Ai gjithashtu ka përmendur se deri tani janë regjistruar 110,000 qytetarë të diasporës që kanë shprehur interesin për të marrë pjesë në zgjedhje, një shifër që reflekton angazhimin e madhe të emigrantëve për të kontribuar në vendin e tyre.
Hoti ka folur edhe për “listën e zezë”, duke njoftuar se kjo listë do të publikohet nga Departamenti Amerikan i Shtetit në këtë muaj.
Sipas tij, opozita ka mundësinë të fitojë zgjedhjet për shkak të pakënaqësive të qytetarëve me qeverisjen aktuale dhe të shprehura në takimet që po mbahen nëpër komunat e Kosovës.
Për sa i përket takimit të Kryeministrit Kurti në Skenderaj, Hoti ka theksuar se ai nuk sheh arsye për një vizitë të tillë në një ditë zie, duke argumentuar se pavarësisht se viktimat nuk ishin nga kjo komunë, ata ishin qytetarë të Kosovës dhe kërkohej një trajtim më i ndjeshëm nga ana e qeverisë.
/Gazeta Papirus/