Në Elbasan po zhvillohet mbledhja e përbashkët e dy qeverive, të Shqipërisë dhe Kosovës ku janë firmosur disa marrëveshje mes palëve për të lehtësuar lëvizjen qytetarëve në të dy anët e kufirit. Për të kontrolluar zbatimin e këtyre marrëveshjeve, Albin Kurti dhe Edi Rama u shprehën se “kemi caktuar një koordinatorë të përbashkët”.“
Sekretariati koordinues ndërqeveritar do të ndjekë zbatimin e marrëveshjeve në frymën e bashkëpunimit ndërinstitucional për të jetësuar parimet dhe objektivat. Sekretariati ka objektiv ndërveprimin për administratat dypalëshe pranë dy qeverive dhe të informojë në kohë reale zyrat përkatëse për cdo problem që shfaqet në përmbushjen e këtyre marrëveshjeve” u shprehën dy kryeministrat në tryezën e përbashkët.
Në vijim të fjalës së tij, kreu i qeverisë së Kosovës theksoi se tashmë Kosova do të ketë zyrën e vet doganore në portin e Durrësit.
“Kjo marrëveshje parasheh vendosjen e zyrës doganore të Kosovës në Durrës dhe Porto Romano dhe thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve për hyrje daljen e mallrave”.
Edi Rama u ndal konkretisht te lëvizja e qytetarëve duke kërkuar që të shmanget kaosi me radhët e gjata në doganë. “Ministrave të Brendshëm u kemi kërkuar të na e bëjnë jenë më të lehtë kur vjen puna për qarkullimin e qytetarëve në të dy anët e kufirit. Jeni ju të dy që ta bëni për sezonin e ardhshëm turistik kur duhet të kalojë kufirin që kthehet në një vargan pafund makinash që kalojnë përmes dy kontrollesh”.
Xhelal Sveçla, Ministër i Punëve të Brendshme zbuloi tre marrëveshjet e firmosura mes dy qeverive.
“Në zonat kufitare banorët do të kenë mundësi të lëvizin lirshëm deri në 30 km në secilën anë për të ringjalluar krahinën dhe do të lehtësojnë jetën e banorëve në brezin kufitar. Nxënësit do të kenë më të lehtë shkollimin. Për një jetë më të mirë mes komunave dhe qyteteve kufitare. Pika e dytë lidhet me pikën doganore në Shishtavec, do të jetë e hapur 24 orë. Objekti i ri i pikës kufitare është ndërtuar në territorin e Shqipërisë. Leja e qëndrimit të përkohshëm tani do të merret për 5 vite dhe do të hiqen burokracitë”, deklaroi ai.