Tre vjet e gjysmë burgim dhe tetë vjet dëbim nga Zvicra.
Kaq i kushtoi një kosovar një incident i ndodhur në shtator të 2020-tës në Flawil të Sankt Gallenit në Zvicër.
Mediat atje raportojnë se 27 vjeçari, e kishte rrahur brutalisht një burrë në prani të fëmijës 10-vjeçar së këtij të fundit, në afërsi të një dyqani të lodrave.
U deshtë ndërhyrja e një personi të tretë për ta qetësuar situatën.
I pandehuri në ditën kritike, pas një përplasje verbale e kishte goditur me kokë viktimën e më pas kosovari e kishte goditur me grushte dhe shqelma derisa e kishte humbur vetëdijen, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.
Por, motivi i këtij sulmi nuk është qartësuar plotësisht, derisa avokati i 27-vjeçarit nga Kosova ka pretenduar se viktima e kishte ngacmuar seksualisht klientin e tij më parë.
Organi i akuzës thotë se ky nuk ishte rasti i vetëm për burrin nga Kosova.
Dyshohet se ai ishte i përfshirë edhe në disa raste të tjera, përshirë zhvatje, dëmtim prone dhe shkelje të ligjeve të trafikut rrugor.
Ai kishte kërcënuar një koleg për t’ia marrë 15,000 franga, duke e kërcënuar me dhunë dhe me vdekje familjen e tij.
Gjithashtu, ai ishte përplasur fizikisht edhe me persona të tjerë në janar të vitit 2022 në St. Gallen.
Gjatë gjykimit, i pandehuri u mbrojt duke thënë se tani është një person ndryshe, ka rigjetur besimin dhe është kthyer nga një pelegrinazh në Mekë.
“Ai ka filluar të punojë në sektorin financiar dhe është përkushtuar në kikboks, ku ka rregulla të qarta që ai i respekton. Madje ka përfaqësuar Zvicrën në garat ndërkombëtare dhe synon titullin kombëtar zviceran në kikboks”.
Megjithatë, gjykata e Qarkut në Wil e vlerësoi rrezikun e tij si të lartë dhe vendosi një dënim të ashpër.
Ai u dënua me 42 muaj burg dhe u urdhërua të largohej nga Zvicra për tetë vjet. Gjithashtu, ai duhet të paguajë një gjobë dhe shpenzimet procedurale që arrijnë shumën prej 34 mijë e 261 frangash.
Gjykata gjithashtu nuk e pranoi pretendimin e tij se ai po kanalizonte agresivitetin e tij përmes arteve marciale, duke argumentuar se bazuar në historinë e tij, ekziston një rrezik i lartë që ai të përsërisë sjelljet e dhunshme.
Ndërkohë, aktgjykimi nuk është ende përfundimtar dhe mbetet të shihet nëse i pandehuri do ta apelojë vendimin.