U emëruan si të pavarur në krye të institucioneve të pavarura, por disa prej tyre, të vendosur nga shteti në këto pozita, kanë filluar të humbasin kredibilitetin. Ky fenomen tashmë po reflektohet edhe në fushatën e Lëvizjes Vetëvendosje.
Kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, Neime Binaku Isufi, ka hyrë në fushatë në mbështetje të partisë së Albin Kurtit. Para disa ditësh, ajo ka shpërndarë në Instastory në Facebook një fotografi ku shihet fushata e Lëvizjes Vetëvendosje, duke lënë të kuptohet se ka qenë pjesëmarrëse në aktivitetin politik.
Por, kjo nuk është hera e parë që Binaku Isufi shfaq lidhje të hapura me Vetëvendosjen. Para disa javësh, ajo publikoi një tjetër Instastory ku shfaqej në shoqëri me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, si dhe me drejtorin e Sekretariatit të Autoritetit të Konkurrencës, Selajdin Beqaj—ndaj të cilit rëndon një aktakuzë, dhe asistenten e tij, Blerina Veseli, gjatë një ndeje të organizuar nga Vetëvendosje.
Autoriteti i Konkurrencës është një institucion publik i pavarur, me vizionin për të siguruar dhe promovuar konkurrencë të lirë dhe efektive, duke inkurajuar ndërmarrjet të rrisin efikasitetin dhe inovacionin në funksion të një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik.