Shërbimi Korrektues i Kosovës ka treguar për RTV Dukagjinin se nga fillimi i vitit 2021, 78 të burgosur kanë dërguar kërkesë për falje të dënimit në burg. Nga Presidenca nuk është aprovuar asnjë deri tani.
Mbi një mijë persona në Kosovë janë të dënuar me vendime të gjykatave.
Ata janë të dënuar me burg për vepra të ndryshme penale, duke filluar nga më të lehtat e deri te më të rëndat.
78 të burgosur kanë kërkuar nga Presidentja që t’iu falet pjesë e mbetur e kohës së dënimit.
Një gjë të tillë e kanë konfirmuar edhe nga Shërbimi Korrektues i Kosovës.
“Lidhur me 78 kërkesat për falje, ju njoftojmë se ato janë bërë për lloje të ndryshme të veprave penale. Çdo kërkesë për falje e ardhur nga të burgosurit, ne i procedojmë te Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Shërbimit Korrektues.
Mirëpo deri më tani Presidentja nuk ka nxjerrë asnjë dekret për faljen e ndonjë të dënuari, përcjell Telegrafi.