Policia e Kosovës ka zbuluar një laborator të sofistikuar për falsifikimin e dokumenteve, pas një operacioni të suksesshëm të zhvilluar më 24 janar 2025 në Prishtinë, shkruan Gazeta Papirus.
Gjatë këtij operacioni, Policia ndaloi një automjet dhe gjeti dokumente të zbrazëta nga shtete të ndryshme të botës. Shoferi i automjetit, me inicialet F.K., u arrestua dhe ndaj tij u caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Pas hetimeve të mëtejshme, u identifikua një shtëpi në Prishtinë, e cila shërbente si laborator për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, përfshirë pasaporta, karta identiteti dhe patente shoferi. Gjatë bastisjes, Policia ka sekuestruar prova të rëndësishme, përfshirë makina laserike, printerë, mbi 20,000 mikroçipa dhe mijëra dokumente nga 51 shtete të ndryshme të botës.
Ky rast po hetohet nga Prokuroria Speciale për “Falsifikim të dokumenteve” dhe “Krim të organizuar”.
Policia e Kosovës mbetet e angazhuar në luftimin e krimit të organizuar dhe do të vazhdojë të marrë masa për parandalimin dhe ndalimin e aktiviteteve të tilla kriminale.
/Gazeta Papirus/