Një anije e marinës italiane ka arritur më 28 janar në Shqipëri me 49 emigrantë në bord, të cilët u shpëtuan në ujërat ndërkombëtare.
Në Shqipëri, atyre do t’iu procedohen aplikimet për azil dhe më pas ata do të dërgohen në qendrën e strehimit në Gjadër.
Kjo është përpjekja e tretë për strehimin e emigrantëve në Shqipëri, pasi paraprakisht gjykatat italiane e kishin ndaluar një gjë të tillë.
Ministria e Brendshme italiane nuk ka specifikuar nacionalitetin e emigrantëve që u dërguan në portin e Shëngjinit, por mediat në Itali kanë raportuar se bëhet fjalë për persona nga Bangladeshi, Egjipti, Bregu i Fildishtë dhe Gambia.
Përpjekja për procesimin në Shqipëri pasoi dy përpjekje të dështuara tetorin dhe nëntorin e kaluar, kur gjykatësit italianë refuzuan të miratonin urdhra për ndalimin e dy grupeve të vogla emigrantësh në qendrat e ngritura në Shqipëri sipas një marrëveshjeje mes Italisë dhe Shqipërisë. Gjykatat vendosën se vendet e origjinës së emigrantëve nuk ishin të sigurta për ta, nëse aplikimet për azil do t’iu refuzoheshin dhe emigrantët do të ktheheshin në shtetet e tyre.
Rastet janë dërguar në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë, e cila më herët ka vendosur se azilkërkuesit nuk mund t’iu nënshtrohen procedurave të përshpejtuara që mund të çojnë në riatdhesim nëse shtetet e tyre të origjinës nuk vlerësohet se janë plotësisht të sigurta.
Seanca dëgjimore për këtë rast në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë është caktuar të mbahet më 25 shkurt.