Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot do të mblidhet për të diskutuar rreth mënyrës së zbatimit të vendimit të Gjykatës Supreme për Dragashin,
Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi. Ai deklaroi për Express se KQZ-ja do të mblidhet në orën 16:00.
“E konfirmoj se gjatë ditës kemi pranuar vendimin e Gjykatës Supreme, përmes së cilit urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për përsëritjen e raundit të dytë të votimit jashtë Kosovës që i takon Zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Dragashit. Me qëllim të zbatimit të këtij vendimi, gjatë ditës së sotme (e enjte, 25 nëntor, ora 16:00) KQZ-ja do të mbajë mbledhje. Lidhur me mënyrën e zbatimit të këtij vendimi, do të njoftoheni në këtë mbledhje”, ka deklaruar Elezi.
Ndryshe, Gjykata Supreme ka marrë vendim që të përsëritet votimi në komunën e Dragashit vetëm nga jashtë Kosovës, raporton Gazeta Express.
Sipas Aktgjykimit të Gjykatës Supreme urdhërohet KQZ-ja që të organizojë përsëritjen e Procesit të Votimit nga jashtë për Raundin e Dytë të Zgjedhjeve Lokale për kryetar të Komunës së Dragashit.
Ankesa e kandidatit të LDK-së Bexhet Xheladini është pranuar pjesërisht, teksa është refuzuar pjesa tjetër e ankesës ku kandidati i LDK-së ka kërkuar që votat e mëparshme me postë të përfshihen në rezultatin final