Almir Veliji, një nënshtetas i Serbisë, i emëruar dikur në post publik nga kryeministri Albin Kurti, vazhdon të punojë në qeveri.
Fillimisht, Veliji ishte emëruar zëvendësministër i Ministrisë Zhvillimit Rajonal në prill të vitit 2021 me vendim të kryeministrit. Ai ishte shkarkuar po me vendim të Kurtit tri vite më vonë, pas përfshirjes në një skandal ryshfeti, në një akt që del të jetë sa për sy e faqe.
Kjo për shkak se disa ditë pas shkarkimit nga pozita e zëvendësministrit, ai ishte rikthyer sërish në qeveri.
Dokumentet zyrtare tregojnë se Veliji – nën hetime për ryshfet – është ‘rehatuar’ sërish në qeveri. Është emëruar këshilltar i ministrit për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq, më 1 mars të vitit të kaluar.
Ky partner i Lëvizjes Vetëvendosje është një shtetas i Serbisë, i pajisur me dokumente serbe në shkurt të vitit 2019, tregon një dokument të cilin e ka siguruar Paparaci.
Dokumenti tregon se Veliji, i cili vjen nga radhët e Partisë së Re Demokratike (Nova Demokratska Stranka), subjektit politik të komunitetit boshnjak, është pajisur me dokumente identifikuese të Serbisë të cilat e paraqesin Kosovën si pjesë të Serbisë.
Sipas dokumentit të lëshuar nga MPB-ja serbe, ID-ja e Velijit është valide deri në shkurt të vitit 2029.
Prizreni, vendi i lindjes së Velijit, është paraqitur si pjesë e Serbisë.
“Prizren, Republika e Serbisë”, shkruhet në kolonën e komunës, vendit të lindjes dhe shtetit në dokument.
Almir Veliji, ka shërbyer si zëvendësministër në Qeverinë Kurti II nga prilli i vitit 2021 deri në shkurt të vitit 2024, kur ishte shkarkuar pas përfshirjes në një skandal ryshfeti, raporton Paparaci.
Një audio-incizim i publikuar në Insajderi, tregonte sesi zëvendësministri i kohës fliste në telefon me një person për një grant në vlerë dhjetëra mijëra eurosh të Qeverisë së Kosovës.
Pas nisjes së hetimeve ndaj tij, Veliji ishte shkarkuar nga pozita me vendim të kryeministrit Kurti. Vendimi për shkarkim ishte nxjerrë më 22 shkurt, 2024.
Veliji është përfaqësues politik i Partisë së Re Demokratike të Emilija Redzepit, zëvendëskryeministres së Kosovës.