Gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit është duke shkuar drejt fundit.
Prokuroria e Specializuar e Hagës pritet të përfundojë me dëshmitarët e saj në muajin prill, ashtu siç ishte planifikuar.
“Sipas asaj që na e merr mendja, ne mendojmë që do ta arrijmë atë afat që na është caktuar si datë për përfundimin e paraqitjes së provave. Ka disa dëshmitarë për të cilët nuk është bërë formalisht njoftim përmes një parashtrimi zyrtar mirëpo bëhet fjalë për një numër të kufizuar dëshmitaresh dhe në fund duam të themi që e çmojmë kushtin që ta përfundojmë paraqitjen e provave deri me datë 15 prill dhe do të bëjmë çmos dhe jemi të bindur që ta arrijmë këtë datë”, ka thënë prokurori Matt Haling.
Gjatë konferencës për ecurinë e çështjes në çështjen Thaçi dhe të tjerët, ZPS-ja ka njoftuar të premten se aktualisht parashikon të thërrasë 11 dëshmitarë në gjykatë në periudhën shkurt-prill të vitit 2025.