Trendi i parave të falsifikuara ka ‘lulëzuar’ në Kosovë për një kohë të gjatë, ku qindra e mijëra euro false janë vënë përditë në qarkullim. Rastet e tilla raportohen kryesisht nga zyrtarët e bankave në vend, teksa monedhat metalike që më së shumti dalin false janë 1 dhe 2 euro, si dhe kartëmonedhat 50 e 100 euro.
Disa raste janë denoncuar së fundmi nga një zyrtar i bankës ProCredit në Fushë Kosovë, i cili ka raportuar për deponimin e parave të dyshuara false nga disa klientë.
Bëhet fjalë për qindra euro, para këto që sipas informacioneve të para janë deponuar brenda një periudhe, në bankomatet e bankës.
Bazuar në informacionet e para, bëhet fjalë për kartëmonedha të ndryshme dhe monedha metalike.
Si rezultat i denoncimit, paratë janë konfiskuar dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar rasti ‘Falsifikim i parasë’.
Ndryshe, falsifikimi i parasë është vepër penale dhe sanksionohet sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.