Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se është duke vazhduar periudha e votimit përmes postës për të gjithë shtetasit e regjistruar për të votuar duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ-ja jashtë Kosovës apo duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.
Me qëllim të mundësimit të votimit përmes postës janë duke funksionuar kutitë postare në 22 shtete të ndryshme të botës, përfshirë dhe kutinë postare të KQZ-së në Kosovë dhe duke filluar nga sot, KQZ ka filluar me tërheqjet e para të pakove me fletëvotime nga kutitë postare, në të cilat shtetasit e Kosovës të regjistruar për të votuar përmes postës mund të dërgojnë pakon e tyre me fletëvotim.
Në përputhje me procedurat, gjatë ditës së enjte është realizuar tërheqja e 6,054 pakove me fletëvotime nga kutia postare e KQZ-së në Shtutgart të Gjermanisë dhe të njëjtat janë dërguar në Konsullatën e Republikës së Kosovës në këtë qytet, të cilat janë vendosur në dhomën e sigurisë dhe që vëzhgohet me kamera 24 orë.
Ky proces është realizuar nën mbikëqyrjen e anëtarëve dhe stafit të KQZ-së, vëzhguesve të subjekteve politike të akredituar për vëzhgimin e procesit zgjedhor dhe të përfaqësuesve të autorizuar të përfaqësisë diplomatike.
Këto pako me fletëvotime dhe të tjerat që do të tërhiqen në mënyrë të herëpashershme, do të sillen në Kosovë gjatë ditëve në vazhdim. Sipas procedurave, fillimisht këto pako me fletëvotime i nënshtrohen procesit të vlerësimit, i cili përfshinë verifikimin nëse ato u takojnë votuesve të regjistruar dhe nëse janë ndjekur procedurat tjera të parapara, ndërkaq numërimi i këtyre fletëvotimeve do të bëhet në një fazë të mëvonshme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, pas ditës së zgjedhjeve. Edhe procesi i vlerësimit të dërgesave postare do të mund të vëzhgohet nga vëzhgues të akredituar nga KQZ-ja.