Zëvendëskryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Valdet Gashi, ka bërë me dije se kjo prokurori është duke i hetuar 1.600 kontrata njëburimorë, që janë nënshkruar nga Qeveria Kurti dhe institucionet tjera publike.
Në këtë mënyrë është konfirmuar shkrimi i gazetës Nacionale, i cili para dy muajve tregon numrin e kontratave njëburimore që po hetohen nga prokuroria.
Derisa ka prezantuar raportin vjetor të punës së Prokurorisë Speciale, në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Gashi ka thënë se duhet kohë dhe punë për të trajtuar këto lëndë.
“Prokurorët e rinj marrin raste të reja, por siç e theksova edhe më herët ata prioritet tani për tani i kanë ato kontrata që po titullohen njëburimore dhe të cilat jemi duke i trajtuar. Aty janë 1.600 kontrata, ta keni parasysh. 1.600 kontrata dojnë punë, ai që është dike i punuar e di më se miri”, ka thënë prokuroria Gashi.
Në këtë mbledhje, ai është pyetur edhe për hetimin dhe gjykimin e rasteve të profilit të lartë.
Ai ka treguar se në këtë mbledhje nuk i posedon statistikat se sa raste të tilla janë gjykuar dhe sa po hetohen.
“Ka aktgjykime, ka raste në procese. Ka aktgjykime dënuese, ka aktgjykime liruese, por tani për tani këtu nuk i kam statistikat”, ka vlerësuar ai.
Prokurori Gashi ka bërë me dije se evidentimi i këtyre rasteve në raport është i mundur.
“Janë gjithsesi të munduara. Vetëm të bëhet një formular që të dihet saktësisht se çka po kërkohet me raportu, sepse në i kemi ato statistika. Nuk e di se çka konsideroni profil të lartë, sepse të gjitha rastet që trajtohen të ne, në aspektin korruptiv, janë të profilit të lartë. Kështu e thotë ligji. Profili lartë ka hyrë edhe një zyrtar i prokurimit në një institucion të caktuar, drejtori i prokurimit”, ka thënë Gashi.
Çka kishte raportuar Nacionale?
Para dy muajve, gazeta Nacionale kishte raportuar se Prokuroria Speciale është duke i hetuar mbi 1.600 kontrata njëburimore, të cilat ishin nënshkruar në mandatin e Qeverisë Kurti.
I njëjti burim i kishte thënë gazetës se për këtë rast tejet voluminoz janë caktuar tre prokurorë.
“Meqenëse rasti është voluminoz, prokuroria ka caktuar tre prokurorë që të merren me rastin. Kontrata që po hetohen janë nga të gjitha institucionet. Prej ministrive, kompanive publike, e deri të agjencitë qeveritare dhe institucionet tjera publike”, ka thënë burimi i gazetës brenda Prokurorisë Speciale.
Gazeta Nacionale ka raportuar vazhdimisht për rritjen e numrit të tenderëve që ishin dhënë në formë të negociuar.
Mbi 117 milionë euro kontratë njëburimore ishin dhënë vetëm në vitin 2023 nga të gjitha institucionet në Kosovë. Kjo kishte shtuar dyshimet për korrupsion, dhe tenderë të organizuar për kompani të caktuara.
Dhënia e një numri të madh të kontratave të tilla ishte evidentuar edhe në raportin e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.
“Vlera e kontratave të nënshkruara sipas procedurës së hapur gjatë vitit 2023 është 665,768,974.50€, derisa sipas procedurës së kufizuar gjatë vitit 2023 13,176,422.33€. Vlera e kontratave të nënshkruara sipas procedurës konkurs projektimi, gjatë vitit 2022,është 3,037,845.48€, dhe sipas procedures konkurruse me negociata, gjatë vitit 2023 është 112,7540.74€, kurse sipas procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës është 117,258,922.10€ dhe vlera e kontratave të nënshkruara sipas procedurës së hapur kuotim i çmimeve, gjatë vitit 2023 është 7,799,039.20€. Ndërkaq, sipas procedurës për vlerë minimale, vlera e kontratave të nënshkruara, gjatë vitit 2023,është 2,269,659.05€.”, është thënë në raportin e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.