Ministri i Financave, Hekuran Murati ka deklaruar se sot është realizuar pagesa e pensioneve me shtesën e aprovuar nga Qeveria e Kosovës.
Ministri Murati theksoi se 69 milionë euro për 295 mijë përfitues është pagesa më e madhe që është realizuar ndonjëherë, transmeton lajmi.net.
Ky vendim i Qeverisë së Kosovës për ndarjen e këtyre mjeteve ishte kritikuar nga partitë opozitare, për shkak se vendimi ishte marrë disa javë para balotazhit të 14 nëntorit.
Murati pati thënë se nga 100 euro do t’i marrin rreth 50 mijë familje që janë familje të veteranëve të luftës, familje të dëshmorëve e të veteranëve.
“Kjo masë është njëra nga masat me vëllimin më të madh të përmirësimit të jetës së qytetarëve, të mbështetjes së qytetarëve për shkak se prek përafërsisht rreth 300 mijë familje. Në kuadër të kësaj mase do të përfitojnë rreth 200 mijë pensionistë që janë pensionistë të pensioneve bazike dhe kontributpaguese, do të jenë rreth 50 mijë familje që janë qoftë familje të veteranëve të luftës, familje të dëshmorëve të luftës apo të invalidëve të luftës, do të përfitojnë rreth 20 mijë familje që kanë persona me aftësi të kufizuar dhe do të përfitojnë rreth 30 mijë familje që janë të kategorive të tjera”, ka treguar ai.