Publikuar sot, ora 16:49
ORGANI SHQYRTUES I PROKURIMIT
A është Ardian Behra, i propozuar për kryetar të OSHP-së, njeriu i Liburn Aliut dhe ‘babës së tenderëve’?
Kuvendi i Kosovës dje nuk ka pasur kuorum për vendimmarrje për listën me emrat e anëtarëve të bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.
Lëvizja Vetëvendosje ka votuar kundër, ndërkaq partitë opozitare nuk kanë marrë pjesë në votim.
“Konstatoj që vetëm 52 deputetë kanë votuar në këtë seancë, pra Kuvendi nuk ka pasur kuorum për të marrë vendim”, tha kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Votimit i parapriu diskutimi dhe polemikat mes partisë në pushtet Lëvizjes Vetëvendosje dhe partive opozitare
.
Qeveria e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje janë kritikuar nga partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës për mosshfaqje të qëndrimit nëse e përkrahin ose jo listën e propozuar në legjislativ për anëtarët e bordit të OShP.
Në seancë u bë e ditur se kandidatët e propozuar nga organi përzgjedhës i pavarur për bordin e OShP-së janë: Ardian Behra 32.3 pikë, Hasim Krasniqi 28.7 pikë, Faruk Rexhaj 28 pikë, Adem Spahiu me 26.3 pikë dhe Ruzhdi Morina me 26 pikë.
E i propozuari për kryetar të Bordit të OSHP-së, Ardian Behra, besohet së është shtyrë për këtë pozitë nga ministri Insfrastrukturës, Liburn Aliu dhe Nexhat Krasniqi, i njohur si “baba i tenderëve”.
Më pas, ministri i Financave Hekuran Murati tha se deputetët duhet të sigurohen që personat që përzgjidhen të kenë edhe kriterin e integritetit.
“Ju takon deputetëve që të përzgjedhin dhe të përcaktohet që kjo listë finale që ka kaluar në këta dy filtra, a i plotëson kushtet apo jo. Është shumë me rëndësi të thuhet që normalisht personat përveç kritereve objektive duhet të kenë edhe kriterin e integritetit. Duhet të sigurohemi që këta persona që votohen të kenë edhe integritetin e nevojshëm, për shkak se kemi pasur raste në të kaluarën kur janë marrë vendime të çuditshme nga ajo trup. Dhe arsyetimi ka qenë për palët që kanë hup rastin, që po ua kthejmë tarifën që e keni paguar meqenëse e keni një gjysmë të drejte, por ne po mendojmë që duhet shpërblyer kontrata dikujt tjetër”, ka thënë Murati.