Më 23 prill të 2023-tës kur u mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore, në mungesë të dakordimit me drejtorët e shkollave, KQZ-ja vendosi që të gjejë zgjidhje alternative.
Kështu, ata në katër komunat vendosën kontejnerë, si improvizim për qendrat e votimit.
Por, në këto zgjedhje të rregullta, kjo mohohet se do të ndodh.
“Kqz ka caktuar numrin e qendrave të votimit dhe vendvotimeve që do të hapen me datë nëntë shkurt, 2025. Qendrat e votimit në të cilat do të zhvillohet procesi zgjedhor në të gjitha komunat e Kosovës, përfshirë edhe katër komunat veriore të Kosovës sipas vendimit të KQZ-së do të zhvillohen në objekte, kryesisht në objekte shkollore”, ka thënë për RTVD zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Njohësi i politikave lokale, Shemsi Jashari tha se aplikimi për certifikim i Listës Serbe e ndryshon situatën atje.
“Është një situatë komplet e ndryshme nga hera e kaluar dhe këto zgjedhje do të zhvillohen nëpër institucione publike, siç janë shkollat pa ndonjë problem. Fakti që Lista Serbe ka aplikuar të certifikohet nga KQZ për të marr pjesë në këtë proces janë edhe parakusht që zgjedhjet do të zhvillohen zakonshëm dhe nuk pres ndonjë problem që mund të ndikoj tek rezultati”, ka thënë Jashari.
Në bazë të listës së KQZ-së, Leposaviqi është komuna me më së shumti qendra votimi në këto zgjedhje.