Dëshmitari Hansjeorg Strohmeyer tha sot në Hagë se në kohën kur ka punuar si këshilltar juridik i UNMIK-ut në Kosovë gjatë 1999-ës, e ka takuar një apo dy herë Rexhep Selimin.
Megjithatë, ai tha se në atë kohë ka mundur që ta dijë rolin e Selimit por që tashmë nuk i kujtohet.
“Mbasi edhe e kam ditur por tani nuk me kujtohet”, tha ai, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ai gjithashtu u pyet nëse ka marrë pjesë në ndonjë ngjarje konkrete për të cilën dëshmitari ka njohuri.
”Sot nuk me kujtohet diçka e tillë”, tha ai.
Më pas, Eric Tully, avokat i Rexhep Selimit Tully u fokusua tek rregullorja e UNMIK-ut lidhur veprimet policore që u kryenin gjatë kohës së operimit në Kosovë.
“Kur kam qenë unë atje as nuk kemi pas rregullore e as forcë policore. Për ne ishte KFOR-i dhe autoriteti që i kryente arrestimet në bazë të rregullores së tyre dhe filluan që të na nxisnin ne që t’i kryenim më pas që të krijohej një formë e institucioni të ngjashëm me gjykatën në mënyrë që t’i trajtonim këto situata sepse situata ishte disi emergjente”, tha Strohmeyer.
Ai tha se rregullorja e UNMIK-ut është harruar më pas dhe nuk ka qenë në fuqi në kohën që po flet ai.
Kjo deklaratë e dëshmitarit erdhi pasi Tully tha se rregullorja thotë që çdo i arrestuar duhet të dal para një autoriteti gjyqësor dhe se rastet e tjera të arrestimeve janë të ndaluara përjashtim atyre që evidentohen në rregullore.
Për këtë, Tully i tha dëshmitarit se kanë pasur problematika me arrestimet e KFOR-it dhe procesin e rregullt gjyqësor.