Zviceranët të dielën do të votojnë në referendumin për ligjet rreth Covid-19. Agjencia AFP ka raportuar se para këtij votimi është parë nivel i pashembullt i armiqësisë.
Policia e ka shtuar sigurinë përreth disa politikanëve, përfshirë ministrin e Shëndetësisë, Alain Berset, të cilët janë përballur me shumë fyerje e kërcënime me vdekje, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
“Kemi parë rritje të kërcënimeve që nga fillimi i pandemisë, me ashpërsi të pashembullt”, i tha policia federale agjencisë AFP. Përreth ndërtesave të qeverisë dhe kuvendit në Bernë janë vendosur rrethoja për t’i mbrojtur institucionet nga protestat kundër vaksinimit.
E diela do të jetë hera e dytë në më pak se gjashtë muaj që zviceranët do të votojnë rreth menaxhimit të pandemisë nga qeveria. Në qershor, 60 për qind e votuesve e përkrahën zgjatjen e masave kombëtare.
Kundërshtarët e masave kanë këmbëngulur se nevojitet një referendum i ri për amandamentet e ligjit për Covid-in, i cili, mes tjerash, ofron bazë ligjore për një certifikatë që dëshmon se një person është vaksinuar ose që e ka kaluar sëmundjen.
“Ky ligj është diskriminues. Do të krijojë një shoqëri me dy marshe”, tha Agnes Aedo, zëdhënëse e grupit “Miqtë e Kushtetutës”, që e ka thirrur referendumin. Sipas anketave më të reja, rreth dy të tretat e zviceranëve ende e përkrahin ligjin për Covid.