Konfliktet për borxhe jo rrallëherë kanë eskaluar në kanosje serioze e përleshje. Personat që kanë tentuar t’i qërojnë hesapet në këtë formë, për pasojë kanë përfunduar në Polici dhe janë futur në telashe. Kështu dyshohet se ndodhi edhe mbrëmë në Prishtinë, ku u arrestuan tre persona, raporton Gazeta Sinjali.
Të dyshuarit e kanë sulmuar një person përleshur në rrugën “Ilir Konushefci” për motive që lidhen me një mosmarrëveshje për shkak të një borxhi.
Sinjali ka mësuar se tre personat e arrestuar janë Valdrin Beqiri, Shqipdon Beqiri dhe Eduard Berila.
Ata dyshohen se e kanë rrahur viktimën 28-vjeçar, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Pasi njësitet policore intervenuan në vendin e ngjarjes, palët janë arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor.
Ndaj tyre, pas përfundimit të procedurave, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit.