Shtatë shqiptarë janë arrestuar këtë të mërkurë në kuadër të një operacioni të zhvilluar nga Garda Civile Spanjolle në zonën Rego do Alcalde, San Miguel de Deiro, në Pontevedra.
Autoritetet spanjolle njoftojnë se gjatë operacionit u sekuestrua një gomone e fuqishme me tre motorë, si dhe një sasi e konsiderueshme kokainë, ende e pa peshuar.
Mediat lokale raportojnë se shqiptarët janë lidhur me një anije peshkimi të kapur në vitin 2023, e cila transportonte 7500 kilogramë kokainë. Po ashtu, janë gjetur edhe pako me drogë dhe materiale të tjera që lidhen me aktivitetet e trafikut të drogës.