Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se e mbështet plotësisht deklaratën e BE-së lidhur me aksionin e Policisë së Kosovës për mbylljen e strukturave paralele në dhjetë komuna në vend.
Ai ka thënë se në parim pajtohet që struktura të tilla nuk duhet të funksionojnë në Kosovë, por se sipas tij, rruga drejt mbylljes së tyre duhet të jetë gjithëpërfshirëse.
“Më lejoni të jem i qartë: ne jemi dakord në parim që funksionimi i strukturave të tilla paralele duhet të ndërpriten. Por rruga drejt kësaj duhet të jetë gjithëpërfshirëse. Me veprime si sot, nuk fitoni zemrat, mendjet e njerëzve të prekur”, ka shkruar Rohde në rrjetin social X.
Bashkimi Evropian ka kritikuar Kosovën për shkak të mbylljes së strukturave paralele, pasi siç ka thënë, këto veprime bien ndesh me detyrimet e Kosovës ndaj BE-së.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka njoftuar se janë mbyllur strukturat paralele “kriminale” të Serbisë në Republikën e Kosovës.
Sipas ministrit, komunat paralele të Serbisë janë mbyllur në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë-Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skënderaj si dhe posta e zyreve tatimore ilegale.
Ndërkaq, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka thënë se nuk ka lëshuar autorizim për bastisjet në objektet e strukturave paralele.