Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë e ka kundërshtuar aksionin e realizuar sot nga Policia dhe Qeveria e Kosovës kundër strukturave paralele.
Një zëdhënës i Ambasadës së SHBA-së ka thënë se veprimet e sotme të qeverisë dhe policisë janë në kundërshtim me “këshillat tona më të mira”.
“Veprimet e Qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve të drejtuara nga Serbia ndikojnë direkt dhe negativisht në qytetarët e Kosovës – serbët etnikë dhe komunitetet e tjera – dhe mund të minojnë aspiratat e Kosovës për t’iu bashkuar komunitetit euroatlantik”, ka thënë për Gazetën Express një zëdhënës i Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.
Ky zëdhënës i ambasadës amerikane ka thënë se këto veprime e dobësojnë besimin dhe kufizojnë mundësitë e SHBA-së për të ndihmuar Kosovën për një të ardhme më të mirë.
“Këto veprime, kundër këshillave tona më të mira, dobësojnë besimin në marrëdhënie dhe kufizojnë aftësinë tonë për të ndihmuar Kosovën të sigurojë të ardhmen më të mirë dhe më të ndritshme për të gjithë njerëzit e saj. Ne po vazhdojmë të monitorojmë situatën. Ju lutemi ndiqni platformat tona online për reagime shtesë nga Ambasada e SHBA”, ka thënë zëdhënësi.
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, njoftoi se në mëngjesin e së mërkurës janë mbyllur komuna paralele të Serbisë, si dhe posta e zyra tatimore në dhjetë komuna të ndryshme të vendit.
Sveçla, ka njoftuar se Prokuroria e Shtetit nuk ka marrë pjesë në aksionin e përbashkët të Policisë së Kosovës me MPB-në, MAPL-në dhe MINT-in.
Njoftimi i ministrit Sveçla vërteton raportimin e Paparacit se aksioni për mbylljen e institucioneve të komunave paralele serbe në dhjetë komuna, është realizuar pa urdhëresë të Prokurorisë së Shtetit.
“Me aksion të përbashkët mes MPB e PK si dhe MINT e MAPL, përfundon epoka e komunave dhe institucioneve paralele e kriminale të Serbisë në Republikën e Kosovës”, tha Sveçla.
Ndërkaq, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se “nga sot, 28 komunat paralele, kriminale të Serbisë në Kosovës dhe 5 qarqet e tyre mbyllen përfundimisht”.
Bastisjet në dhjetë komuna të mërkurën, të realizuara nga Policia e Kosovës, MPB-ja, MAPL-ja dhe MINT-i, kanë ndodhur pa urdhër të Prokurorisë së Shtetit.
Prokuroria Themelore në Prishtinë tha se policia ka shpërfillur Kodin e Procedurës Penale.