Kryetari i LDK-së, njëherësh kandidat për kryeministër, Lumir Abdixhiku ka bërë homazhe në Reçak me rastin e 26-vjetorit të masakrës në këtë fshat.
Abdixhiku thotë përmes një postimi në Facebook, se në këtë përvjetor, të gjithë e kemi detyrimin moral ta mbajmë gjallë kujtesën e Masakrës së Reçakut dhe të angazhohemi për të mbrojtur vlerat mbi të cilat u ngrit Kosova.
“26 vjet nga masakra e Reçakut. Në mëngjesin e ftohtë të 15 janarit 1999, forcat policore, ushtarake dhe paramilitare të Serbisë kryen një nga aktet më të rënda të historisë së vonshme njerëzore. 45 civilë shqiptarë – burra, gra, të moshuar dhe fëmijë – u vranë e u masakruan brutalisht. Ambasadori William Walker e cilësoi këtë masakër si një “krim kundër njerëzimit”, një akt që tronditi ndërgjegjen e botës dhe shënoi një pikë kthese në angazhimin ndërkombëtar për çlirimin e Kosovës. Sot, 26 vjet më pas, kujtojmë me dhimbje e nderim sakrificën e viktimave të Reçakut dhe qëndresën e familjarëve e të mbijetuarve që bartin ende plagët e asaj tragjedie. Ky krim mizor është më shumë se një akt brutal dhe një dhimbje kombëtare; është një rikujtim i përjetshëm i çmimit që pagoi populli ynë për liri dhe shtetësi, dhe sakrifica që mundësoi krijimin e shtetit tonë të pavarur dhe realizimin e ëndrrës kombëtare për lirinë që e gëzojmë sot. Në këtë përvjetor, të gjithë ne kemi detyrimin moral ta mbajmë gjallë kujtesën e Masakrës së Reçakut dhe të angazhohemi për të mbrojtur vlerat mbi të cilat u ngrit Kosova. Lavdi përjetë viktimave të Reçakut dhe gjithë atyre që u flijuan për lirinë tonë”, ka shkruar Abdixhiku.