Komisionarja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, e përmendi shkurtimisht Kosovën duke folur para deputetëve në Komisionin për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian në Bruksel, të martën.
Ajo tha se zgjerimi i BE-së sot është ndryshe nga mënyra se si ishte para katër a pesë vjetësh dhe se tash “kemi një moment të ri pozitiv në BE”.
“Për herë të parë në dhjetë vjetët e fundit kemi mundësinë që gjatë mandatit tonë të anëtarësojmë në BE një, dy apo tri vende të reja. Por, u kam thënë partnerëve javëve të fundit se nuk do të ketë lëshime kur bëhet fjalë për kriteret themelore dhe vlerat e BE-së”, tha ajo.
Për Kosovën, ajo foli krejt në fund kur u pyet nga një deputet i Parlamentit Evropian se çfarë pret nga zgjedhjet në Kosovë.
“Kosova… Nuk e përmenda Kosovën. Atje do të ketë zgjedhje. Nuk pres se do të mund të lëvizim para zgjedhjeve, por shpejt pas zgjedhjeve duhet të lëvizim. Sepse nuk mund të flasim për rajonin e Ballkanit Perëndimor nëse nuk flasim për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës ose ndaras se çfarë është duke bërë Kosova e çfarë është duke bërë Serbia”, tha Kos, raporton REL.
Komisionarja shtoi se këtë vit pret zhvillime pozitive në procesin e zgjerimit dhe se pret progres më të madh sesa që ka pasur një dhjetë vjetët e fundit.
“Mund të kemi përparim gjatë Presidencës polake më shumë sesa që kishim në dhjetë vjetët e fundit, Mund të kemi deri në dhjetë konferenca ndërqeveritare”, theksoi ajo.
Kos gjithashtu paralajmëroi se së shpejti do të vizitojë Malin e Zi dhe Shqipërinë, vende të cilat ajo i sheh si më të avancuarat në procesin e zgjerimit.
Pas zgjedhjeve që mbahen më 9 shkurt në Kosovë, pritet që shefja e re për politikë të jashtme e BE-së, Kaja Kallas, të realizojë turneun e parë të saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Në anën tjetër, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka paralajmëruar se fokusi i kësaj jave në Bruksel do të jetë te takimi i parë i Komisionit të përbashkët për personat e zhdukur në luftën e fundit në Kosovë.