Një tjetër bastisje është kryer sot në veri të Mitrovicës, nga ana e Policisë së Kosovës.
Zëvendësdrejtori i Policisë Kosovës së për rajonin e veriut, Veton Elshani ka thënë për gazetën online Reporteri.net se aksioni është zhvilluar në një zyrë ku ka qenë duke funksionuar sigurimi “Dunav”.
Elshani ka bërë të ditur se aksioni tashmë ka përfunduar dhe është hapur rast për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.
“Sot rreth orës 11:30 Policia e Kosovës ka asistuar zyrtar të BQK-s në realizimin e një kontrolli në një zyre ku ka qenë duke funksionuar Sigurimi DUNAV (DUNAV Osiguranje). Pas kontrollit nga ana e tyre në konsultim me Prokurorin është hap rasti Keqpërdorim i Autorizimeve Ekonomike”, tha Elshani.
Policia e Kosovës paraprakisht sot ka mbyllur edhe një institucion paralel të Serbisë në Mitrovicën e Veriut.
Zëdhënësi i Policisë për veriun, Veton Elshani, ka thënë se institucioni paralel dyshohet se ka funksionuar si zyrë tatimore e Ministrisë së Financave të Serbisë.
“Në këtë vend kemi hasur në prova që e vërtetojnë dyshimin tonë dhe pas konsultimit me prokurorë, njerëzit që janë hasur aty janë larguar nga ai vend dhe ajo ndërtesë është mbyllur deri në verifikim të plotë të fakteve”, ka thënë Elshani.
Rasti do të hetohet për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”. Nuk ka të arrestuar.
“Mbyllet edhe një institucion paralel i Serbisë në Mitrovicën Veriore. Aktiviteti ilegal i Agjencionit Tatimor të Serbisë do të hetohet nga të gjithë mekanizmat tanë institucional ndërsa ne do të vazhdojmë të luftojmë çdo paralelizëm kriminal të Serbisë përballë institucioneve tona. Ky institucion ka mbledhur ilegalisht mjete financiare nga qytetarë e subjekte që jetojnë e veprojnë në Republikën e Kosovës. Haraçi është i dënueshëm dhe rreptësisht i ndaluar për këdo që e zhvillon atë. E në këtë rast, ai zhvillohej nga grupe kriminale lojale ndaj Serbisë agresore dhe figurave si Vladimir Putin”, ka shkruar Sveçla, i cili i ka bashkangjitur edhe videon nga aksioni i mbylljes së kësaj zyre.