Bordi i Entit Rregullator të Energjisë (ERE) u mblodh sot për të shqyrtuar kërkesën e OSHEE për uljen e çmimit të energjisë për familjarët.
Drejtori i Tarifave pranë OSHEE, Romir Pajenga tha se çmimet për konsumatorët familjarë që shpenzojnë deri në 700 kwh, çmimi do të jetë 8,5 lekë për kilovat. Për ato familje që konsumojnë më shumë se 700 kilovat, çmimi do të jetë 9,5 lekë për kilovat.
Ku vendim hyn në fuqi më 1 shkurt 2025 deri në 31 dhjetor 2025.
Kryeministri Edi Rama tha se kjo është ulja e parë në historinë e këtyre 35 viteve të çmimit të energjisë elektrike.
“Ky është një fakt i cili na mbush patjetër me shumë krenari, po të marrim parasysh se nga çfarë humnere e kemi nisur ngjitjen deri në këtë pikë”, tha Rama në një konferencë për shtyp së bashku me zëvendëskryeministren dhe njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
“Kjo masë, është një masë më shumë sesa e mirëmenduar, e diskutuar gjerësisht në të gjitha nivelet me ekspertizën e brendshme dhe me ekspertizë ndërkombëtare. E bazuar në projeksionet e planit tonë strategjik për sovranitetin e plotë energjetik dhe kthimin e Shqipërisë në një eksportuese neto të energjisë brenda mandatit tonë të katërt dhe sigurisht duke pasur parasysh edhe parimin e shpallur botërisht të qeverisë sonë për të ndarë me qytetarët frytet e reformave të dhimbshme, frytet e përpjekjeve shumë të mundimshme në këto vite dhe frytet e një rritjeje ekonomike, që për vitin 2025 e parashohim në harkun e 4%, që është një shifër shumë domethënëse”, tha Rama.