Sot në ora 10:00, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ishte paraparë të përurojë shkollën “Halil Alidema”, në fshatin Pozheran të Vitisë.
Por, një orë para këtij përurimi, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), njoftoi se aktiviteti në fjalë është anuluar.
Raportohet se mos-finalizimi i punëve në objektin shkollor ka qenë arsyeja e anulimit të përurimit.
Drejtoresha e Arsimit në këtë komunë, Arta Ajeti, tha për IndeksOnline se aktiviteti është shtyrë për një afat tjetër, duke konfirmuar se punimet në shkollë nuk kanë përfunduar.
“Edhe ne vetëm sa morëm konfirmimin që aktiviteti për sot është anuluar, duke u shtyrë për një afat tjetër. Punimet në shkollë nuk kanë përfunduar. Ende nuk ka pranim teknik në këtë shkollë. Është duke u punuar, edhe mbrëmë deri vonë është punuar aty. Ministrja Nagavci e ka shtyrë për një afat tjetër vizitën dhe përurimin”, tha Ajeti.
Ajo deklaroi se, pavarësisht se nuk kanë marrë më shumë detaje rreth anulimit të përurimit, punimet mund të jenë pikërisht arsyeja.