Kryeqyteti ynë shumë shpejt pritet të bëhet me një thertore publike, një investim që pritet të ketë ndikim të konsiderueshëm në infrastrukturën dhe zhvillimin ekonomik të zonës. Kjo pasi komuna, e cila udhëhiqet nga kryetari Përparim Rama, ka arritur të finalizojë me sukses marrëveshjen për tenderin e radhës, që ka të bëjë me ndërtimin e thertores.
Ky projekt i rëndësishëm është një hap i madh për qytetin dhe do të sigurojë kushte më të mira për përpunimin e produkteve bujqësore dhe ndihmon në rritjen e efikasitetit të industrisë agroushqimore.
Për realizimin e ndërtimit të thertores, komuna fillimisht kishte ndarë një shumë prej 3,500,000.00 euro. Sidoqoftë, pas analizave dhe procedurave të tenderimit, ky tender është arritur të finalizohet për një shumë më të ulët, konkretisht 2,877,777.78 euro
Përsa i përket kohëzgjatjes së projektit, sipas tenderit të publikuar nga E-Prokurimi, kontrata e ndërtimit do të realizohet brenda një periudhe 600 ditore, çka do të thotë se projekti pritet të përfundojë në afatin e duhur, duke ofruar mundësi për përdorim të menjëhershëm pas përfundimit të ndërtimit.
Ky projekt është pjesë e një plani më të gjerë për zhvillimin dhe përmirësimin e infrastrukturës në kryeqytet, duke krijuar mundësi të reja për zhvillimin e bujqësisë dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët.