Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për propagandë dhe bllokadë të projekteve pas deklaratës së ministrit Hajrullah Çeku në lidhje me palestrën multisportive dhe zonën ekonomike në Prishtinë.
Rama ka thënë se lokacioni dhe plani për palestrën janë refuzuar katër herë nga asamblistët e Vetëvendosjes.
“Në seancën e fundit (04.12.2024), kjo bllokadë u shoqërua me shkatërrim të pronës publike dhe ndërhyrje të policisë”, ka kujtuar Rama në një postim në Facebook.
Sipas Ramës, Komuna e Prishtinës ka planifikuar ndërtimin e palestrës si pjesë të një kampusi sportiv në Bernicë, me projekte të plota urbanistike dhe përpjekje të vazhdueshme për miratim.
“Përhapja e propagandës dhe mungesa e bashkëpunimit politik po dëmtojnë Prishtinën dhe qytetarët e saj. Faji për vonesat bie mbi bllokimin e qëllimshëm nga Vetëvendosje dhe jo mbi Komunën”, ka thënë ai.
Ai ka theksuar se Komuna do të vazhdojë të punojë për të realizuar projektet e rëndësishme, pavarësisht bllokimeve politike.
“Retorika e gabuar dhe veprimet destruktive nuk do të na ndalin”, ka thënë Rama.
“Qytetarët e Prishtinës meritojnë zhvillim, jo propagandë politike. Dokumentet që vërtetojnë përpjekjet tona janë publike dhe të qasshme për të gjithë”, ka thënë ai.