I kërkuari nga Policia me të kaluar kriminale, kryesisht për vepra penale të mashtrimit”, ka rënë t enjten në prangat e Policisë. 36-vjeçari nga Prishtina u kap pak para mesnatës dhe përfundoi në ndalim policor, nën dyshimet për përfshirje në një rast të nëntorit 2024.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se bëhet fjalë për Valton Makollin, emër i njohur për organet e rendit.
Makolli është prangosur pasi dyshohet se e ka mashtruar një person, më 7 nëntor të vitit të kaluar dhe ka arritur të qëndrojë në arrati gjatë kësaj kohe.
Si rezultat i denoncimit të rastit, Policia e kishte futur në kërkim policor dhe pas lokalizimit të vendndodhjes së tij, i njëjti është arrestuar.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe ndërmarrjen e veprimeve të tjera të nevojshme.
Valton Makolli dyshohet edhe për një rast të mashtrimit që ka ndodhur më 6 qershor 2024, e po ashtu edhe për vjedhjeve të shërbimeve – rast ky i vitit 2022.
Edhe në vitin 2021, ai ishte shpallur në kërkim nga Policia për veprën penale ‘Mashtrimi’, që rezultoi me arrestimin e tij pas një dite.