Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), sipas obligimeve ligjore të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, ka nxjerrë Rregulloren KPM-2024/03 për obligimet e ofruesve të shërbimeve mediale gjatë fushatës zgjedhore.
Tutje, thuhet se KPM njofton të gjithë ofruesit e shërbimeve mediale audio-vizuele se gjatë fushatës dhe heshtjes zgjedhore të zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të licencuarit e KPM-së duhet të veprojnë në pajtueshmëri me legjislacionin e KPM-së.
“OSHM-të (televizionet dhe radiot) të cilat vendosin të organizojnë programin e tyre gjatë fushatës zgjedhore do të deklarohen tek KPM nëse do të mbulojnë fushatën jo më larg se shtatë (7) ditë kalendarike para fillimit të fushatës zgjedhore (neni 6.2 i Rregullores KPM-2024/03). Gjithashtu, në pajtim me Ligjin për Zgjedhje, të licencuarit janë të obliguar të dorëzojnë në KPM ditarët për zgjedhje: Ditari A terminet pa pagesë, Ditari B terminet me pagesë. Ditarët plotësohen dhe dorëzohen në KPM të hënën e secilës javë për të raportuar për javën paraprake, sipas Nenit 11, paragrafi 3 i Rregullores KPM-2024/03. Në fund thuhet se një javë para fillimit të periudhës së fushatës zgjedhore, dërgohet çmimorja (listat e çmimeve) e aplikuar gjatë zgjedhjeve, sipas Nenit 9, paragrafi 3 dhe 4 i Rregullores KPM-2024/03″.