Ambasadori i Izraelit në Kombet e Bashkuara, Danny Danon, i ka paralajmëruar për “herë të fundit” rebelët Huthi që t’i ndalin sulmet raketore kundër Izraelit, duke thënë se ata rrezikojnë ta përjetojnë fatin e njëjtë “mizor” sikurse Hamasi, Hezbollahu dhe Bashar al-Assadi i Sirisë, nëse ngulin këmbë.
Danon gjithashtu e paralajmëroi Iranin, i cili i mbështet Huthit, se Izraeli ka aftësi për ta goditur çdo shënjestër në Lindjen e Mesme, përfshirë në Iran.
Disa orë pas fjalimit të tij të hënën në mbrëmje, ushtria izraelite njoftoi se e rrëzoi një raketë të shkrepur nga Jemeni, e cila bëri që sirenat të binin në gjithë vendin.
Rebelët Huthi i sulmuan aeroportin “Ben Gurion” afër Tel Avivit dhe një stacion të energjisë elektrike në jug të Jerusalemit duke përdorur një raketë balistike hipersonike dhe një raketë balistike Zulfiqar, përkatësisht, tha të martën zëdhënësi ushtarak i grupit, Yahya Saree.
Sulmet ndaj Izraelit nuk do të ndalen, tha Mohamed Ali al-Houthi, kreu i komitetit suprem revolucionar i Huthit, pasi ushtria izraelite njoftoi për sulmet raketore.
“Bombardimi i entitetit [Izraelit] po vazhdon, siç po vazhdon edhe mbështetja për Gazën”, shkroi ai në platformën X.
Danon, duke iu drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së, deklaroi se Izraeli nuk do t’i tolerojë sulmet e mëtejshme nga rebelët Huthi.
“U them rebelëve Huthi, mbase ju nuk i keni kushtuar vëmendje asaj që ndodhi në Lindjen e Mesme gjatë vitit të fundit”, tha Danon.
“Epo, më lejoni t’jua kujtoj se cfarë ka ndodhur me Hamasin, Hezbollahun dhe Assadin, me të gjithë ata që u përpoqën të na shkatërrojnë. Lë të jetë ky paralajmërimi i fundit për ju. Ky nuk është kërcënim. Ky është premtim. Ju do ta përjetoni fatin e njëjtë mizor”, tha Danon.
Javën e kaluar, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, i paralajmëroi rebelët Huthi se Izraeli “sapo ka filluar”, pas sulmeve izraelite ndaj disa objektivave të lidhura me Huthit në Jemen, përfshirë aeroportin e Sanaas, portet në bregun perëndimor të vendit dhe dy termocentrale.
Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se ishte duke u përgatitur për të hipur në një avion në aeroport kur ai u sulmua nga Izraeli. Ai shtoi se një anëtar i ekuipazhit të avionit u plagos.