Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar lidhur me çështjen e reduktimeve të mëdha të energjisë elektrike në vend.
Përgjegjësia bie mbi KESCO-n, tha ajo, derisa kërkoi nga Qeveria e Kosovës t’i thërret për llogaridhënie.
“Këto ditë kam biseduar me ekspertë të ndryshëm, profesionistë që kanë mbajtë dhe mbajnë ende pozita në institucione të sektorit të energjisë dhe ata pohojnë të njëjtën gjë se ‘Reduktimet po bëhen për të balancuar mungesen e prodhimit dhe të importit të energjisë elektrike për shkak të rritjes së kërkesës. Arsyetimi se reduktimet janë për shkak të ngarkesës nuk është krejt i vërtetë. Nëse do të ishte për shkak të ngarkesave, reduktimet do të ishin të lokalizuara në disa nënstacione të mbingarkuara, ndërsa reduktimet këto ditë janë në të gjitha vendbanimet, kryesisht në zonat rurale në Ferizaj, Gjilan, Suharekë, Rahovec, Gjakovë, Malishevë, Dragash, Fushë Kosovë etj’”, tha ajo.
Postimi i plotë:
Partia në pushtet e ka përgjegjësinë pse s’ka rrymë
Distribucioni i energjisë elektrike në Kosovë është privatizu në kohën kur shefja e grupit parlamentar të LVV-së ka qënë ministre dhe zavëndëskryemnistre, pra vendimmarrëse dhe e përfshirë në proces; LDK-ja ka qënë në opozitë.
LVV e ka pasur premtim elektoral që sapo të vijë në pushtet ka me e shtetëzu distribucionin.
Ku jemi sot? Ku është ZRRE-ja, e cila e ka obligim me monitoru furnizimin me energji elektrike?
Në javën e fundit shumë zona në Kosovë janë përballë me reduktime deri në 12 orë në ditë, derisa temperaturat janë të ulëta e për shkak të “masave për efiçiencë të energjisë” numri i familjeve që përdorin energjinë elektrike për ngrohje është më i madh se kurrë me parë. Sot, këto familje po ngrinë nga i ftohti.