Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në takimin lamtumirës me ambasadorin e SHBA-ve, Jeffrey Hovenier, ka vlerësuar kontributin e tij për Kosovën, karriera e të cilit, siç tha ajo, është e lidhur ngushtë me historinë e vendit.
Osmani ka theksuar rëndësinë e angazhimit të ambasadorit në fazat më të rëndësishme të vendit.
“Një diplomat, karriera e të cilit është lidhur ngushtë me Republikën e Kosovës në shumë momente historike. Angazhimi i tij për lirinë dhe pavarësinë tonë ka qenë i pandalshëm që 25 vjet, duke vepruar si një diplomat i përkushtuar në mbrojtjen e së vërtetës.
Fillimisht, si pjesë e ekipit të presidentit Ahtisaari, ai luajti një rol të rëndësishëm në procesin që çoi në propozimin e pavarësisë për Republikën tonë. Më pas, ai vazhdoi kontributin e tij gjatë gjithë procesit të shtet-ndërtimit deri te misioni i tij si ambasador. Ka qenë kënaqësi e veçantë që kemi bashkëpunuar gjatë këtyre tre viteve dhe kemi punuar në interes të qytetarëve tanë”, ka potencuar Osmani para mediave.