Rënia e Qeverisë së Bashar al-Assadit nga duart e rebelëve, përfshirë atyre të mbështetur nga Ankaraja, e ka bërë Turqinë forcë të huaj mbizotëruese në Siri, në kurriz të Iranit dhe aleates së tij, Rusisë.
Turqia dhe Irani kanë garuar për vite kundër për ta shtrirë ndikimin e tyre në Kaukazin Jugor dhe duket se rivaliteti mes tyre tani ka shkuar deri në Levant.
“Republika islamike ka pasur shqetësime të jashtëzakonshme lidhur me ndikimin turk në Siri, qoftë ekonomik, politik apo ushtarak, edhe shumë kohë para rënies së Assadit. Por, me humbjen e aleatit të vetëm shtetëror të Iranit në rajon, këto shqetësime pritet të shtohen çdo herë e më shumë”, tha Behnam Taleblu, analist për Iranin në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive (FDD), me seli në Uashington.
Megjithatë, ekspertët thonë se profili gjithnjë në rritje i Turqisë në Siri, në dëm të Iranit, nuk do të thotë patjetër se marrëdhëniet mes Ankarasë dhe Teheranit do të preken në mënyrë të ndjeshme.