Është fakt tashmë që popullsia shqiptare po plaket me ritme të larta. Por a po jetojnë të moshuarit në vendin tonë me dinjitet dhe a është shoqëria shqiptare e përgatitur për këtë? Për t’i dhënë përgjigje këtyre pyetjeve dhe gjithë dramës që ngërthejnë në vetvete, ekspertë, demografë dhe përfaqësues të UNFPA Shqipëri diskutuan në studion e ciklit televiziv “Shpopullimi” të gjithë faktorët socialë që po shoqërojnë moshën e tretë në vend.
Le të shohim së pari shifrat për të kuptuar më mirë pse kjo situatë po kthehet në emergjencë kombëtare. Sot, në Shqipëri një në pesë persona është mbi 65 vjeç, nga 1 në nëntë që ishin në vitin 2011. Por jo vetëm kaq. Parashikimet flasin se me këto ritme, në një kohë të shkurtër, 30% e popullsisë do të jetë e moshuar. Kjo shifër e lartë e moshës së tretë ka nevojë të shoqërohet me masa afatshkurtra, por edhe afatgjata, që në qendër kanë shërbimet sociale të integruara.
Elsona Agolli, analiste e programit të popullsisë dhe çështjeve gjinore në zyrën e UNFPA në Shqipëri, theksoi se moshimi me dinjitet ka qenë edhe lajtmotivi i Ditës Botërore për të Moshuarit këtë vit.
“Jo vetëm në Shqipëri, por ndoshta në të gjithë botën, cënimi i të drejtave të njeriut vihet re te grupmosha 65 vjeç e sipër. A jetojnë të moshuarit në Shqipëri me dinjitet? Kjo është relative. Ne jemi përpjekur ta analizojmë me kujdes, duke marrë mendimin edhe të të moshuarve. Këtu doja të veçoja analizën që ne bëmë për sa i takon çështjeve të vetmisë, çdo gjë që lidhet me vetminë në nivel kombëtar, por e krahasuar edhe me vende të tjera të rajonit dhe më tej. Na rezultoi se një pjesë e mirë e të moshuarve tanë jetojnë në vetmi të plotë dhe, nga ana tjetër, kanë edhe ata elementë të tjerë që shoqërojnë vetminë, që janë çështje të socializimit, mungesa e kujdesit ndaj tyre, si edhe marrja e shërbimeve të ndryshme” – pohoi znj. Agolli.
Demografi Arjan Gjonça, duke iu referuar ndryshimeve demografike mes dy censeve të fundit, të 2011 dhe 2023, analizoi lidhjen e drejtpërdrejtë që ka emigracioni me plakjen e popullsisë.
“Në 2011, baza e piramidës vjen duke u ulur, që tregon rënien e madhe të lindshmërisë, por njëkohësisht ka edhe dy gropa të mëdha në popullsinë e të rriturve nga mosha 20-25 deri në moshën 45-50 vjeç. Ky është efekti i emigracionit. Po çfarë po ndodh tani, në 2023? Ata që ishin në 2011, 10 vjeç, tani janë 23; ata që ishin 55 vjeç janë sot 68, pra janë pensionistë. Ndaj ne themi që në Shqipëri ka disa specifika në plakjen e popullsisë. E para, është plakur si rezultat i emigracionit, e më pas edhe rënia e lindshmërisë, por jo në ato përmasa si emigracioni. Karakteristikë e Shqipërisë është që ky fenomen ka ndodhur shumë shpejt, sepse në kushte të tjera plakja është një proces normal i tranzicionit demografik.”
Por emigracioni solli edhe një tjetër fenomen në vendin tonë: prindër të vetmuar, me asnjë nga fëmijët afër për t’u kujdesur për ta. Dikur, edhe si traditë e shqiptarëve, prindërit jetonin me fëmijët, kryesisht me djemtë e familjes. Në kohët e sotme, kur të rinjtë kanë emigruar, shumë të moshuar kanë mbetur të vetmuar dhe iu është dashur të shkojnë në shtëpitë e të moshuarve. Ja çfarë tregon një prej tyre, që jeton në shtëpinë e të moshuarve në Tiranë:
“Unë jam nga fshati Pojan i Korçës. Kam jetuar në Sukth, ku punova e linda fëmijët. Atje më vdiq edhe gruaja. Pas kësaj erdha te vajza dhe qëndrova 12 vjet atje. Ata u bënë kallaballëk në shtëpi dhe nuk mundeshin më. Erdha këtu se isha vetëm dhe me qira nuk më dilte llogaria. Rrogën e kisha 180, ata kërkonin shumë dhe nuk e përballoja dot. Mbanin shumë qira, 150 mijë qira, unë 180 merrja, s’më dilte leku për një kafe.”
Si ky i moshuar, ka me qindra të tjerë nëpër Shqipëri. Ndaj ekspertët mendojnë se situata është dramatike. Ekspertja e çështjeve të moshimit, Arlinda Ymeraj, nga studio e “Shpopullimi” kërkoi marrjen e masave të menjëhershme për t’iu përgjigjur kësaj plakjeje të popullsisë.
“Shërbimet në Shqipëri për të moshuarit mbulojnë 71% të territorit. Por përfitues të tyre janë vetëm 9% e moshës së tretë dhe kjo realisht është shumë pak. Të moshuarve iu duhen krijuar kushtet e nevojshme që të jetojnë me dinjitet. Dinjiteti vjen nga tre drejtime: një rol të rëndësishëm kanë institucionet qendrore dhe lokale; një rol shumë të rëndësishëm ka shoqëria në mënyrën se si e percepton moshimin, si i përgjigjet dhe si e përfshin; dhe një rol shumë të rëndësishëm ka vetë i moshuari, pikërisht në të gjithë përdorimin e energjisë dhe fuqive të tij, që prej kohësh kur ka qenë në punë e deri kur largohet nga tregu i punës. Dinjiteti i ofron të moshuarit një jetesë të mirë në komunitet, mundësinë për të komunikuar; së dyti, mundësinë e të ardhurave për të përballuar jetesën e tij; së treti, aksesin te shërbimet e kujdesit shoqëror e shëndetësor. Së fundmi, mirënjohjen për kontributin e tij, gjë të cilën do ta kuptojmë të gjithë vetë kur të jemi në atë pozicion.”
Por cilat janë disa nga ndërhyrjet strategjike që Shqipëria duhet të bëjë përmes institucioneve për ato çështje me të cilat po përballen personat 65 vjeç e sipër në vend? Elsona Agolli, analiste e programit të popullsisë dhe çështjeve gjinore në zyrën e UNFPA në Shqipëri, i përmblodhi në këtë mënyrë sugjerimet e organizatës ku bën pjesë:
“Unë do të sillja rastin e Armenisë në strategjinë e tyre 2024 – 2040. Është një shembull që mund të merret nga ne, pasi kemi edhe ngjashmëri të tjera me ta. Individët në këtë grupmoshë nuk duhen trajtuar si të moshuar; për t’u dhënë rolin dhe vendin që iu takon në shoqëri, ata i quanin qytetarë “senior”. Ky term i ri po diskutohet edhe në institucionet tona si OKB. E dyta është që duhet të vendoset një përkufizim i standardizuar se çfarë nënkuptojmë me kujdesin afatgjatë për të moshuarit. Tjetra është domosdoshmëria për shërbime të integruara, shoqëruar me krijimin e një grupi profesionistësh në profesionin e kujdestarit për të moshuarit, të cilët Shqipëria duhet t’i krijojë, përgatisë dhe trajnojë.”
Megjithatë, përpos çdo nisme shtetërore, ajo që mund të bëjë secili nga ne është respekti dhe mirënjohja për moshën e tretë, si një realitet që, kush më shumë e kush më pak, do ta prekë edhe vetë në jetën e tij.