Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se me vendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48-orësh tre persona të dyshuar, dy nga ta shtetas të Sllovakisë, ndërsa tjetri shtetas i Republikës së Kosovës, me vendbanim në Ferizaj.
Sipas prokurorisë ata janë ndaluar për shkak të dyshimit se në një laborator të cilin e kanë ndërtuar në fshatin Sllakoc i Epërm-Komuna e Gjilanit, kanë bërë përpunimin dhe përgatitjen e substancave narkotike, andaj, me këto veprime të njëjtit dyshohen se kanë kryer veprën penale “Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike”.
Prokuroria Themelore e Ferizajt, njofton se ndaj të dyshuarve në këtë rast brenda afatit ligjor, do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente.