Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, theksoi se misioni i qeverisë shqiptare është ruajtja e identitetit gjuhësor dhe kulturor në diasporë.
Në takimin vjetor të Këshillit Koordinues të Diasporës, Rama tha se po bashkëpunojnë me qeverinë e Kosovës për unifikimin e teksteve shkollore për diasporën dhe dixhitalizimin e tyre.
“Ruajtja e identiteti gjuhësor dhe kulturor është padiskutim pjesë e misionit tonë si komb, si qytetar të vetëdijshëm të këtij vendi, dhe si sistem institucional dhe më vjen mirë që edhe në këtë aspekt është bërë progres inkurajues.
Ka nevojë për t’u bërë më shumë ashtu sikundër më vjen mirë që kemi bërë hapa kuptimplotë edhe në bashkëpunim me qeverinë e Kosovës, duke filluar nga unifikimi i abetares, me tekstet shkollore për diasporën të unifikuara, duke punuar për dixhitalizimin dhe aksesin falas të të gjithë fëmijëve dhe mësuesve në diasporë në programet me teknologji të avancuar dhe deri te shpërndarja e teksteve shkollore“, ka thënë ai.