Dy persona përfunduan në prangat e Policisë të martën në Pejë, pasi rrëmbyen një person tjetër. Rasti u konfirmua nga Policia, ndërsa tashmë janë zbardhur edhe detaje të tjera nga Prokuroria Themelore në Pejë.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ka bërë të ditur se rrëmbimi dyshohet të ketë ardhur për shkak të një borxhi.
Sipas Nikçit, njëri nga personat e arrestuar në lidhje me këtë rast është nga komuna e Podujevës, ndërsa tjetri nga komuna e Ferizajt.
“Një person nga Podujeva dhe një nga komuna e Ferizajt kanë ardhur në Pejë, ku sipas dyshimeve tona bëhet fjalë për një borxh, ku dhe e kanë rrëmbyer një person nga Peja, me ç’rast e kanë dërguar në komunën e Podujevës. Menjëherë është raportuar rasti në Policinë e Kosovës, ku më pas është kontaktuar Prokurori i Krimeve të Rënda, ku me koordinim të plotë me Policinë e Kosovës dhe pas një pune intensive janë lokalizuar personat e dyshuar“, ka thënë ai.
Tutje, Nikçi ka potencuar se kidnapimi u raportua në Polici nga shoku i viktimës.
“Të njëjtit janë arrestuar nga policia, dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar për 48 orë, gjithashtu është parashtruar kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit. Për të njëjtit janë kapur prova për të cilat do të dëshmohen që të njëjtit janë fajtor. Raportimi ka ardhur nga një shok i viktimës”, ka thënë ai për Klan Kosovën.