Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump tha të shtunën se ka zgjedhur ish-shefin e tij të zbulimit Richard Grenell, si të dërguar presidencial për misione të posaçme, një post ku ai pritet të ndihmojë administratën e ardhshme që të përballet me disa nga sfidat më të vështira të politikës së jashtme.
“Ric do të punojë për disa nga pikat më të nxehta në botë, përfshirë Venezuelën dhe Korenë e Veriut”, tha zoti Trump në platformën e tij të mediave sociale Truth Social, pa dhënë më tej për përgjegjësitë e këtij pozicioni.
Një burim nga ekipi i tranzicionit i zotit Trump tha për agjencinë Reuters se zoti Grenell do të fokusohet gjithashtu tek tensionet në Ballkan.
Zoti Grenell reagoi në platformën X:
“Të punosh në emër të popullit amerikan për Donald Trumpin është nderi më i madh i jetës. Presidenti Trump është dikush që u gjen zgjidhje problemeve, duke i mbajtur amerikanët të sigurt dhe të begatë. Kemi shumë punë për të bërë. Le të fillojmë punën”, u shpreh ai.
Gjatë mandatit të parë të zotit Trump, zoti Grenell shërbeu si ambasador në Gjermani, i dërguar i posaçëm presidencial për negociatat mes Serbisë dhe Kosovës, si edhe si Drejtor në detyrë i Zbulimit Kombëtar.
Ai ka qenë prej kohësh një nga këshilltarët e politikës së jashtme të zotit Trump.
Pasi bëri fushatë intensive për zotin Trump për zgjedhjet e 5 nëntorit, zoti Grenell ishte pretendent kryesor për postin e Sekretarit të Shtetit, por zoti Trump emëroi senatorin Marco Rubio për atë post.
Ai u përmend gjithashtu si kandidat i mundshëm për pozicionin e të dërguarit të posaçëm për luftën në Ukrainë, por përfundimisht zoti Trump zgjodhi gjeneral lejtnantin në pension Keith Kellogg për atë detyrë.