Rënia e regjimit sirian të Bashar al-Assadit ka hedhur dritë mbi anët e errëta të sundimit të tij, duke përfshirë eksportin në shkallë industriale të drogës së ndaluar Captagon.
Rebelët islamistë, të cilët e rrëzuan Assadin, kanë kapur bazat ushtarake dhe qendrat e shpërndarjes për drogën e llojit amfetamine, i cili ka përmbytur tregun e zi në të gjithë Lindjen e Mesme.
Të udhëhequr nga grupi Hayat Tahrir al-Sham (HTS), rebelët thonë se gjetën një sasi të madhe droge dhe u zotuan t’i shkatërrojnë ato.
Luftëtarët e HTS-së i lejuan gazetarët e AFP-së të hynin në një magazinë në një gurore në periferi të Damaskut, ku pilula të drogës Captagon ishin fshehur brenda komponentëve elektrikë për eksport.
Në një garazh, mijëra pilula Captagon ishin paketuar në mbështjelljet e bakrit të stabilizuesve të tensionit shtëpiak krejt të ri.
Një luftëtar i maskuar me një maskë të zezë, Abu Malek al-Shami, tha se fabrika ishte e lidhur me Maher al-Assadin.
Maher al-Assad, vëllai i Bashar al-Assadit, ishte komandant ushtarak dhe tani supozohet se është në arrati. Ai akuzohet se e udhëhiqte tregtinë fitimprurëse të drogës Captagon.
“Ne gjetëm një numër të madh pajisjesh që ishin të mbushura me pako me pilula kaptagoni të destinuara për t’u kontrabanduar jashtë vendit. Është një sasi e madhe. Është e pamundur të thuhet”, tha Shami.
Assadi ra në fundjavë në një ofensivë të rrufeshme të rebelëve të udhëhequr nga grupi HTS, por të ardhurat nga shitja e kaptagonit thuhet se e i dhanë fuqi financiare qeverisë së Assadit gjatë 13 viteve të luftës civile në Siri.
Droga Captagon e ktheu Sirinë në narko shtetin më të madh në botë. Ajo u bë eksporti më i madh i Sirisë, duke zhvlerësuar të gjitha eksportet e saj legale të mbledhura së bashku, sipas vlerësimeve të nxjerra nga të dhënat zyrtare nga AFP gjatë një hetimi të vitit 2022.