Vendet anëtare të Bashkimit Evropian ua kanë hapur rrugën Bullgarisë dhe Rumanisë për t’u bërë anëtare të plota të zonës për lëvizje të lirë Schengen, prej fillimit të vitit tjetër.
“Është moment historik që më në fund të mirëpresim Bullgarinë dhe Rumaninë”, ka thënë ministri i Brendshëm i Hungarisë, Sandor Pinter, shteti i të cilit është aktualisht në krye të Presidencës së bllokut evropian.
Bullgaria dhe Rumania, të dyja vende anëtare të BE-së prej vitit 2007, kanë qenë pjesërisht të integruara në zonën për lëvizje të lirë, prej muajit mars, pasi u është mundësuar vetëm trafiku ajror dhe detar, pa kontrolle kufitare.
Austria pati refuzuar pranimin e plotë të këtyre vendeve në Schengen, duke përmendur shqetësimet rreth migrimit.
Bukureshti dhe Sofja i kanë plotësuar të gjitha kriteret teknike që u janë vendosur nga Brukseli më 2010, mirëpo kanë pritur më shumë se një dekadë për t’u bërë pjesë e Schengenit, pasi disa vende kanë qenë kundër ndër vite.