Zbatimi i Marrëveshjes së Uashingtonit do të krijonte klimë më të mirë ekonomike për Kosovën, më pas edhe politike, duke çuar drejt marrëveshjës përfundimtare me njohje reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë, thotë ish-kryeministri Avdullah Hoti.
Në një intervistë për KosovaPress, ai thotë se qeveria që do të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit duhet ta marrë seriozisht këtë dokument.
Ajo që njihet si Marrëveshja e Uashingtonit është një dakordim për normalizim ekonomik në mes të Kosovës dhe Serbisë arritur në Shtëpinë e Bardhë në shtator të vitit 2020 nën presidencën e atëhershme të Donald Trump.
Por Avdullah Hoti, i cili atëbotë e nënshkroi marrëveshjen si shef i ekzekutivit kosovar, thotë se qeveria e ardhshme e Kosovës duhet të punojë për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.
Marrëveshja e Uashingtonit i siguroi Kosovës njohjen nga shteti i Izraelit, ndërkaq pikat që kanë të bëjnë me krijimin e linjave ajrore dhe hekurudhore në mes të Kosovës dhe Serbisë, nuk janë zbatuar.
Kujtojmë se mandati i qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti përfundon në fillimin e vitit 2025, ndërkaq zgjedhjet parlamentare që do ta nxjerrin përbërjen e re të Kuvendit, do të mbahen më 9 shkurt.