Politologu dhe eksperti për Ballkanin, Florian Bieber tha se shefja e re e BE-së, Kaja Kallas ka një qasje më të fortë e më vendimtare sa i përket Kosovës dhe dialogut me Serbinë.
“Është gjë e mirë që sapo e mori mandatin brenda pak ditësh i mbajti takime, pak ditë pas vizitës së saj në Kijev gjë që konfirmon që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë dhe situata në veri janë lart në listën e prioriteteve të shefes së re të BE-së”, tha ai.
I pyetur rreth mesazheve të Kallas për zbatim të marrëveshjeve ndërkombëtare, Bieber tha se pala e Kosovës duhet t’i përmbushë disa zotime duke përfshirë Asociacionin e gjithashtu pala serbe duhet t’i përmbushë zotimet e saj.
“Nuk kemi pasur ndonjë përkushtim nga ana e Serbisë për zbatim të marrëveshjes së Ohrit, këtë duhet të presim ta shohim. Pyetje është se çka do të jetë vazhdimësia, çka do t’i kërkohet palëve në kuptimin e ripërkushtimit që Serbia të ndalë fushatën e ç’njohjeve apo bllokimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”, tha ndër të tjera ai.