Bashkimi Evropian të enjten konfirmoi se do t’i japë Ukrainës 18.1 miliardë euro si pjesë e një huaje më të madhe nga G7, e mbështetur nga fitimet e aseteve të ngrira ruse.
Grupi i Shtatë ekonomive të përparuara muajin e kaluar finalizoi një marrëveshje për një hua prej 50 miliardë dollarësh për Kievin, për të ndihmuar vendin ndërsa përballet me luftën kundër pushtimit të Moskës.
Poashtu Shtetet e Bashkuara u angazhuan të sigurojnë 20 miliardë dollarë nga këto fonde, ndërsa Mbretëria e Bashkuar, Kanada dhe Japonia gjithashtu ranë dakord të kontribuojnë.
Këtë e bëri zyrtare zyrtari i lartë i BE-së, Valdis Dombrovskis, i cili shkroi në platformën X (ish-Twitter) se kishte nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me Kievin për 18.1 miliardë euro “për të ndihmuar Ukrainën të mbulojë nevojat e menjëhershme”.
Vlen të përmendet se BE-ja ka ngrirë rreth 235 miliardë dollarë nga fondet e bankës qendrore ruse që kur Kremlini nisi pushtimin e Ukrainës në vitin 2022.