Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Ai ka thënë se liria e popullit i ka rrënjët në Prekaz, ndërsa ka kujtuar edhe të rënët e familjes Jashari, si dhe daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Edhe sot në shënim të festave tona kombëtare jemi këtu në Prekazin heroik aty ku i ka rrënjët historia e luftës çlirimtare, por ku i ka rrënjët edhe liria e popullit tonë. Për të nderuar kontributin e jashtëzakonshëm e titanik të familjes Jashari në krye me komandantin Adem Jashari por edhe për të uruar gjithë shqiptarët kudo që janë për festen e flamurit. Për 28 nëntorin e Krujës, 28 nëntorin e Vlorës, 28 nëntorin e Prekazit, por edhe për të përkujtuar daljen publike në këtë datë të UÇK”, ka potencuar Krasniqi.