Një strehë në Gaza e goditur nga një sulm ajror izraelit dje, supozohej të përdorej sot për të administruar vaksinat e poliomielitit.
Kështu tha agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë, UNRWA.
Të paktën 22 palestinezë u vranë nga sulmi ajror izraelit , duke përfshirë 15 fëmijë, tha Autoriteti i Mbrojtjes Civile i drejtuar nga Hamasi.
Sulmi e ka lënë vendin të papërdorshëm për vaksinime të hënën, tha një zëdhënëse e UNRWA-së për BBC, përcjell Klankosova.tv.
Duke përshkruar “një natë tjetër tmerri absolut” për njerëzit në Gaza, Louise Waterridge thotë se objekti do të ishte përdorur sot për të vaksinuar “mijëra fëmijë nën moshën dhjetë vjeç”.
OKB-ja po kryen të dytën nga dy fazat e fushatës së saj të vaksinimit të poliomielitit në Gazën qendrore, ku shumica e banorëve po jetojnë tani.
Kjo është pjesë e një shtrirjeje më të gjerë të nisur pas një rasti të konfirmuar në fillim të këtij viti – i pari për 25 vjet në Gaza.
Zyrtarët e OKB-së po bëjnë presion që të respektohen pauzat humanitare gjatë aksionit të vaksinimit.