Bahri Cani, gazetar veteran i mediumit gjerman “Deutsch Welle”, ka njoftuar për një arrestim të një predikuesi me nënshtetësi të Kosovës me emrin Leonis Hamza. Në një postim në Facebook, Cani ka treguar se predikuesi ekstremist pritet të dëbohet në Kosovë.
Ky arrestim vjen pas sulmit me hanxhar dhe thika të një shqiptari në Linz am Rhein ndaj stacionit të Policisë së Gjermanisë.
Sipas Canit, Hamza është vetëquajtur me emrin Abdul Alim Hamza.
“Pas sulmit me hanxhar dhe thika të një shqiptari në Linz am Rhein ndaj stacionit të policisë dhe arrestimit të tij, tani edhe një rast tjetër i personave të radikalizuar shqiptarë: Në Bon të Gjermanisë është arrestuar dje predikuesi salafist me emrin Abdul Alim Hamza. Shtetasi kosovar me emrin e luftës Abdul Alim Hamza, në fakt quhet Leonis Hamza. Ai është në paraburgim dhe pritet të dëbohet (sipas informacioneve të mia shumë shpejt) në Kosovë. Pas sulmit në Solingen dhe tentativës për sulm në Mynih, si dhe pas sulmit në Linz am Rhein, qeveria gjermane ka njoftuar se do të ashpërsojë masat ndaj personave të radikalizuar. Sipas raportimeve të mediave gjertmane, Abdul Alim Hamza, i njohur si predikues i rrezikshëm i islamit, është arrestuar dje gjatë një termini që kishte në Zyrën për te Huajt në Bon. Atij i pëlqen të ketë foto në rrjetet sociale me personazhe të të quajtur si të rrezikshëm, Arafat Abou-Chaker. Sipas gazetës gjermane Bild, ai është i lindur më 1990 në Pejë dhe jetonte në Bon. Njoftohet se nga janari 2022 ai ka përhapur informata tendecioze islamike dhe për këtë ka qenë nën vezhgimin e autoriteteve gjermane. Në qytetin e Bonit, Abdul Alim Hamza ishte imam në një xhami që agjencia e sigurimit e konsideron si një “vend takimi salafist”. Ai ka kontakte me selafistët e njohur, si: Ibrahim El-Azzazi, Abu Dunja dhe Pierre Vogel” – ka shkruar Cani.