Mbi gjysmë milionë euro është dëmi i shkaktuar në Komunën e Dragashit pas vërshimeve që ndodhën javë më parë. Nga kjo komunë janë në pritje të kompensimit nga Qeveria.
Derisa nga Asociacioni i Komunave të Kosovës po kërkojnë që të formohet një fond emergjent, për të evituar të tilla vonesa.
Vetura të përmbysura, shtëpi me ujë, e rrugë të shkatërruara ishin pamjet e fshatit Kuk të Dragashit, një ditë pas vërshimeve.
E jo vetëm këtu, nga kjo fatkeqësi natyrore, edhe shumë rrugë, ura e mure mbrojtëse u dëmtuan me 26 qershor në fshatrat e këtij qyteti i cili gjendet në jug të Kosovës.
Vlera e këtyre dëmeve kap shifrën afër gjysmë milionë euro.
Kryetari i Komunës në një prononcim për tëvë 1, ka thënë se janë në pritje të qeverisë që sa më parë të dalin këto para.
Ashtu sikurse Dragashi, edhe komuna e Skenderajt është në pritje të kompensimit për vërshimet që u prek në janar të vitit 2023.
Ani pse kanë kaluar më shumë se 17 muaj, sipas zyrtarit për informim në këtë komunë, Qeveria nuk ndau para për dëmet që u bënë në infrastrukturën publike.
“Sa përket vërshimeve Qeveria e Kosovës e ka kompensuar një pjesë të madhe te familjeve që janë dëmtuar kurse sa i përket dëmeve në infrastrukturën publike, dëmeve në biznese dhe dëmeve të tjera që kanë qenë në ura, në trotuar ende nuk ka asnjë lloj kompensim nga Qeveria e Kosovës, të cilat janë afër 6 milionë euro në infrastrukturën publike”, tha zyrtari për informim në Komunën e Skenderajt, Amir Lushtaku.
E që këto vonesa të kompensimit të dëmeve me muaj e vjet të anashkalohen, nga Asociacioni i Komunave të Kosovës kanë kërkuar që të formohet një fond emergjent.
“Kjo procedurë po është shumë burokratike, dhe ndihma e shtetit tek qytetaret mund të shihet pas disa muajve, por qytetari kërkon emergjencë sepse nëse ka dëme materiale në një shtëpi apo banesë ata kërkojnë ndihmë menjëherë që dëme të sanohet e jo përmes këtyre procedurave”, tha drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi