Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se sfidë mbetet politika, derisa ka kritikuar qasjen e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
“Sfidë mbetet edhe politika. Në vitin 2017, Aleksandar Vuçiq, një ish-ministër i propagandës nën Millosheviçin, u bë president i Serbisë. Ngritja e tij shënoi një kthim në politikën autoritare, etnonacionaliste të Millosheviçit, veçanërisht në llojin ekspansionist. Politika autoritare e Beogradit ua vështirësoi veçanërisht jetën serbëve etnikë në Kosovë”, tha kryeministri Kurti në një opinion për The New York Times.
Atyre, tha Kurti, iu desh të luanin rolin e tyre si pakicë në një vend të ri me një popullsi prej përafërsisht 93 për qind shqiptarë etnikë dhe 7 për qind të përbërë nga pakica të tjera, duke përfshirë romët dhe turqit.
“Serbia e ka penguar këtë integrim. U desh trimëri që serbët etnikë t’i bashkoheshin institucioneve dhe të bëheshin pjesëmarrës aktivë në vend”, tha Kurti.
Kryeministri Kurti, ka folur edhe për situatën në Ballkan.
“Një front i ri në Ballkan do t’i shërbente Rusisë po aq sa Serbisë: Serbia mund të përpiqet të fitojë territor përmes agresionit dhe Rusia mund të fitojë një kontroll më të fortë ndaj Serbisë si një satelit, përveçse të shpërqendrojë botën nga lufta që po bën në Ukrainë. Nën drejtimin e Vuçiqit, Serbia ka investuar shumë në bashkëpunimin e saj ushtarak me Rusinë. Një raport i vitit 2019 nga Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së arriti në përfundimin se “Serbia ofron mjedisin më lejues për ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor”. Kosova, përkundrazi, nuk mund të ofronte një mjedis më pak lejues. Ne kemi mbetur fort pro-perëndimorë”, tha mes tjerash kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.